Skip to Content

UBT pjesë e rrjetit evropian VET-PASS për specializimin veterinar

28 tetor 2026 by
UBT pjesë e rrjetit evropian VET-PASS për specializimin veterinar
Web Publikime

Universiteti Bujqësor i Tiranës, përmes Fakultetit të Mjekësisë Veterinare, është pjesë e COST Action CA25113 – VET-PASS, një nismë evropiane që synon zhvillimin dhe harmonizimin e specializimit veterinar pasuniversitar.

Më 2 tetor 2026, në Bruksel, u zhvillua takimi i parë i Komitetit Menaxhues të VET-PASS (European Veterinary Education and Training for Professional Advancement, Specialisation, and Skills), ku UBT u përfaqësua nga Prof. Dr. Rezart Postoli, Dekan i Fakultetit të Mjekësisë Veterinare, në cilësinë e anëtarit të Komitetit Menaxhues për Shqipërinë.

Gjatë katër viteve të ardhshme, kjo nismë do të bashkojë universitete, organizata profesionale dhe institucione evropiane për të përmirësuar standardet e specializimit veterinar, njohjen e kualifikimeve dhe mundësitë e zhvillimit profesional.

Në fokus të bashkëpunimit do të jenë krijimi i një baze evropiane të të dhënave mbi specializimet veterinare, analiza e nevojave të tregut të punës, zhvillimi i karrierës dhe promovimi i metodave inovative të formimit.

Në takimin e parë u miratuan plani fillestar i punës dhe buxheti, si dhe u përcaktuan prioritetet për zbatimin e aktiviteteve.

Për UBT-në, pjesëmarrja në VET-PASS përfaqëson një mundësi të rëndësishme për forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe zhvillimin e arsimit veterinar, duke kontribuar në përmirësimin e shërbimeve veterinare, mirëqenien e kafshëve, sigurinë ushqimore dhe shëndetin publik.

Më shumë informacion: https://vet-pass.eu/