Pas tre vitesh bashkëpunimi, Universiteti Bujqësor i Tiranës organizoi Konferencën Përfundimtare të projektit PEVULOS, duke prezantuar rezultatet dhe ndikimin e tij në Shëndetin Publik Veterinar dhe Sigurinë Ushqimore.
Projekti PEVULOS, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian përmes Erasmus+ Capacity Building in Higher Education (CBHE), ka bashkuar universitete dhe institucione nga Bashkimi Evropian dhe Ballkani Perëndimor, me synim forcimin e arsimit pasuniversitar dhe kapaciteteve profesionale në këtë fushë.
Konferenca u hap nga Dekani i Fakultetit të Mjekësisë Veterinare, Prof. Dr. Rezart Postoli, Drejtoresha e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, Dr. Blerina Gjylameti, dhe Drejtori i Përgjithshëm i AKVMB-së, z. Rolandi Meçaj.
Koordinatorja e projektit, Prof. Asoc. Federica Riva nga Universiteti i Milanos, bëri një përmbledhje të rrugëtimit të PEVULOS, arritjeve kryesore, bashkëpunimit mes partnerëve dhe ndikimit të tij në zhvillimin e arsimit pasuniversitar.
Një nga rezultatet kryesore është zhvillimi dhe zbatimi në Fakultetin e Mjekësisë Veterinare të UBT-së i Programit të Specializimit në Shëndetin Publik Veterinar dhe Sigurinë Ushqimore. Prof. Dr. Rezart Postoli prezantoi strukturën e kurrikulës, metodologjitë e reja të mësimdhënies dhe eksperiencën e zbatimit, ndërsa Prof. Dr. Bizena Bijo u ndal te përvoja e programit dyvjeçar dhe roli i tij në edukimin, trajnimin dhe zhvillimin profesional.
Rezultatet e PEVULOS shkojnë përtej vetë programit. Për studentët, projekti ka sjellë më shumë mësim praktik dhe në terren, mundësi ndërkombëtare dhe një lidhje më të fortë mes teorisë dhe praktikës profesionale. Për stafin akademik ka krijuar qasje të reja në mësimdhënie, materiale dhe burime digjitale, shkëmbim ndërkombëtar ekspertize dhe bashkëpunim më të fortë akademik. Në nivel fakulteti, projekti ka ndihmuar në krijimin e kapaciteteve të reja për arsimin pasuniversitar, modernizimin e mjedisit të të nxënit dhe forcimin e rrjetit akademik ndërkombëtar.
Përvojat e institucioneve partnere u prezantuan edhe nga Prof. Asoc. Sabina Šerić nga Universiteti i Sarajevës, Prof. Asoc. Mirza Oruc nga Universiteti i Zenicës dhe Dr. Adrian Cerava nga Universiteti i Korçës, me fokus te inovacioni në edukim, digjitalizimi, mobiliteti, ndërkombëtarizimi dhe zhvillimi i kapaciteteve akademike.
Në vijim, Prof. Asoc. Egon Andoni nga UBT prezantoi një analizë pesëvjeçare të njoftimeve RASFF për eksportet shqiptare drejt Bashkimit Evropian, ndërsa znj. Ona Murataj nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural trajtoi Sigurinë Ushqimore dhe Shëndetin Publik Veterinar në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë, sfidat aktuale dhe nevojën për forcimin e kapaciteteve.
Konferenca solli edhe perspektivën e studentëve të specializimit, me prezantimet e Edi Xhafës, Kleo Memës, Irena Zabunit dhe Geida Rirës, ndërsa Prof. Dr. Gabriele Breccia nga Universiteti i Peruxhias trajtoi vijimësinë afatgjatë të Shkollës së Specializimit dhe mundësitë për bashkëpunime të ardhshme.
Përmbyllja e PEVULOS shënon kështu jo vetëm fundin e një projekti trevjeçar, por edhe kalimin nga aktivitetet e një projekti drejt kapaciteteve të qëndrueshme institucionale, të cilat do të vijojnë t’u shërbejnë studentëve, stafit akademik dhe zhvillimit të Fakultetit të Mjekësisë Veterinare.











