Skip to Content

UBT akordon pesë tituj të rinj akademikë “Profesor”

1 tetor 2026 by
UBT akordon pesë tituj të rinj akademikë “Profesor”
Web Publikime

Universiteti Bujqësor i Tiranës vijon të promovojë arritjet në mësimdhënie dhe kërkim shkencor, duke i shtuar komunitetit akademik pesë tituj të rinj “Profesor”.

Më 30 shtator 2026, Komisioni i Promovimit të Personelit Akademik (KPPA), në bashkëpunim me Sektorin e Kërkimit Shkencor dhe Promovimit Akademik, zhvilloi mbledhjen e radhës për shqyrtimin e kandidaturave për fitimin e titullit akademik “Profesor”.

Pesë kandidatët paraqitën në gjuhën angleze punën dhe kontributin e tyre akademiko-shkencor. Pas vlerësimit të veprimtarisë së secilit kandidat dhe përmbushjes së standardeve të kërkuara, Komisioni vendosi me unanimitet të plotë akordimin e titullit akademik “Profesor” për Fatmir Gurin, Anila Boshnjakun, Ina Pagrinë, Dori Risilian dhe Orkida Ilollarin.

Prof. Fatmir Guri, staf akademik i jashtëm në UBT dhe aktualisht zëvendësministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, prezantoi punimin mbi evolucionin e konceptit të ruralitetit dhe perspektivat e përdorimit të tokës në Shqipëri për periudhën 2000–2041. Studimi trajton transformimet e zonave urbane dhe rurale, ndryshimet në përdorimin e tokës dhe perspektivat afatgjata të zhvillimit territorial të vendit.

Prof. Anila Boshnjaku, pedagoge në Fakultetin e Ekonomisë dhe Agrobiznesit, prezantoi studimin mbi ndikimin e karakteristikave të Liqenit të Ohrit në çmimet e qirave, duke analizuar lidhjen mes faktorëve si pamja nga liqeni, afërsia me bregun dhe vendndodhja me vlerën ekonomike të pronave dhe zhvillimin e qëndrueshëm të zonave me potencial turistik.

Titulli akademik “Profesor” iu akordua gjithashtu Prof. Ina Pagria dhe Prof. Dori Risilia, pjesë e stafit akademik të Fakultetit të Ekonomisë dhe Agrobiznesit në UBT, si dhe Prof. Orkida Ilollari, staf akademik në Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë.

Gjatë procesit të vlerësimit u çmua puna akademike, veprimtaria kërkimore-shkencore dhe kontributi shumëvjeçar i kandidatëve në fushat e tyre të ekspertizës.

Përmes promovimit të karrierës akademike dhe kërkimit shkencor, UBT vijon të forcojë një komunitet akademik që e lidh dijen dhe ekspertizën universitare me nevojat konkrete të zhvillimit të vendit.