Rektori i Universitetit Bujqësor të Tiranës, Prof. Dr. Fatbardh Sallaku dhe Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla nënshkruan një marrëveshje të re bashkëpunimi me fokus afrimin e studentëve me tregun e punës dhe përfshirjen më të gjerë të ekspertizës akademike në zhvillimin e sektorit bujqësor.
Marrëveshja forcon lidhjen mes universitetit dhe tregut të punës përmes praktikave profesionale, orientimit të studentëve dhe informimit të tyre për vendet vakante në Ministrinë e Bujqësisë dhe institucionet e varësisë. Studentët do të kenë mundësi të aplikojnë sipas profileve të tyre, mbi bazën e meritës dhe konkurrimit të hapur.
Bashkëpunimi do të shtrihet edhe në nivel akademik dhe shkencor, ku UBT do të ofrojë ekspertizën e profesorëve dhe kërkuesve në fusha si bujqësia, veterinaria, siguria ushqimore, ekonomia bujqësore, bioteknologjia, akuakultura dhe administrimi i ujit dhe tokës.
Ky partneritet shtrihet edhe në kërkimin e aplikuar dhe transformimin digjital të bujqësisë, përfshirë bujqësinë precize, analizën e të dhënave, inteligjencën artificiale dhe shërbimet digjitale për fermerët. Marrëveshja parashikon gjithashtu krijimin e fermave demonstruese dhe laboratorëve të gjallë (Living Labs), ku teknologjitë dhe praktikat e reja mund të testohen dhe të transferohen në praktikë.
UBT do të kontribuojë gjithashtu me ekspertizë shkencore dhe metodologjike në kuadër të Programit IPARD III, në procesin e përafrimit me acquis-in e Bashkimit Evropian, si dhe në përgatitjen dhe zbatimin e projekteve të përbashkëta kombëtare dhe ndërkombëtare.
Marrëveshja trevjeçare përforcon rolin e Universitetit Bujqësor të Tiranës si partner akademik dhe shkencor i institucioneve publike, duke e vendosur dijen dhe kërkimin universitar në shërbim të zhvillimit të bujqësisë shqiptare.



