A mund të kthehen mbetjet organike nga një problem mjedisor në një zgjidhje për pastrimin e ujit? Pikërisht kjo mundësi ishte në qendër të ditës së parë të workshop-it BAAWas, të zhvilluar sot në Universitetin Bujqësor të Tiranës. Përmes prodhimit dhe përdorimit të biochar-it, projekti po eksploron alternativa konkrete për një menaxhim më të qëndrueshëm të mbetjeve organike dhe trajtimin e ujit në Shqipëri.
Workshop-i u hap nga Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Fatbardh Sallaku dhe drejtuesi i Departamentit të Mjedisit dhe Burimeve Natyrore, Prof. Dr. Ferdi Brahushi. Më pas, Dr. Aleksandër Peqini, Prof. Dr. Ferdi Brahushi dhe Prof. Dr. Rolf-Alexander Düring prezantuan situatën e mbetjeve organike në Shqipëri, potencialin e tyre për prodhimin e biochar-it dhe objektivat e projektit BAAWas. Prof. Dr. Sven Pohl u ndal te mënyra e prodhimit të biochar-it, aspektet teknike dhe kufizimet që lidhen me këtë proces.
Gjatë prezantimeve u evidentua nevoja për një menaxhim më të qëndrueshëm të ujit dhe mbetjeve organike, veçanërisht në kushtet e zhvillimit të bujqësisë dhe rritjes së përdorimit të ujit për ujitje. Një nga problematikat e trajtuara ishte edhe ndotja e ujërave nga shkarkimet e ujërave të ndotura dhe nga substancat që vijnë prej aktivitetit bujqësor, përfshirë pesticidet.
Në këtë drejtim, biochar-i u prezantua si një material me potencial për t’u përdorur në pastrimin e ujit, pasi mund të ndihmojë në kapjen e disa ndotësve. U paraqitën rezultate nga testimet me terbuthylazine, si një shembull konkret i mënyrës se si biochar-i mund të përdoret për këtë qëllim.
Një tjetër pjesë e diskutimit u fokusua te Belshi, ku po shqyrtohet mundësia e krijimit të një sistemi të qëndrueshëm për trajtimin e ujërave të ndotura. Zgjidhja e propozuar kombinon një ligatinë artificiale me përdorimin e biochar-it për pastrimin përfundimtar të ujit, ndërsa parashikohet një studim fizibiliteti dhe një impiant demonstrues në Bashkinë Belsh. Në këtë kontekst u prezantuan edhe të dhëna kërkimore mbi praninë e mbetjeve të disa produkteve farmaceutike në ujërat e pellgut të lumit Ishëm, si një tregues i problematikës së ndotjes së ujërave.
Workshop-i trajtoi gjithashtu mënyrën se si menaxhohen aktualisht mbetjet organike. Nga vrojtimet e paraqitura rezultoi se djegia është praktika më e raportuar, krahas lënies së mbetjeve në fushë, copëtimit, hedhjes me mbetjet bashkiake dhe kompostimit. Këto të dhëna shërbejnë për të kuptuar më mirë potencialin që mbetjet organike mund të kenë si lëndë e parë për prodhimin e biochar-it.
Në vijim të Workshop-it BAAWas - “Application Potentials for Biochar from Organic Wastes in Albania with Special Consideration of Water Treatment”, në ditën e dytë të tij u zhvilluan disa aktivitete në bashkëpunim me Bashkinë Belsh. Aktivitetet u konceptuan si një mundësi për të lidhur kërkimin shkencor me realitetin vendor, me fokus në potencialet e përdorimit të biokarbonit (biochar) të prodhuar nga mbetjet organike dhe mundësitë e përdorimit të tij për trajtimin e ujit.
Programi filloi me pritjen dhe përshëndetjen nga Kryetari i Bashkisë Belsh, z. Arif Tafani, pasuar nga prezantimi i pjesëmarrësve dhe fjalët përshëndetëse të Prof. Dr. Ferdi Brahushi (UBT) dhe Prof. Dr. Rolf-Alexander Düring (JLU).
Në vijim u prezantuan projekti BAAWas, rezultatet e pyetësorëve me fermerët dhe gjetjet kryesore të projektit nga Dr. Aleksandër Peqini. Kjo pjesë synoi të paraqiste në mënyrë të qartë dhe të kuptueshme rezultatet e punës së deritanishme, si dhe rëndësinë e tyre për komunitetin dhe sektorin bujqësor.
Më pas u zhvillua një tur në disa prej liqeneve të Belshit dhe u realizuan vizita në ferma, duke ofruar mundësi për njohje të drejtpërdrejtë me territorin, aktivitetet bujqësore dhe kushtet lokale. Vizitat në terren shërbyen gjithashtu si një mundësi për diskutim dhe shkëmbim përvojash mbi menaxhimin e mbetjeve organike, aktivitetet bujqësore dhe mundësitë për zbatimin praktik të rezultateve të projektit.







