Universiteti Bujqësor i Tiranës (UBT), në bashkëpunim me Ambasadën e Spanjës në Shqipëri dhe Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, organizoi më 3 nëntor 2026 konferencën ndërkombëtare “Albania Water 2030 – Modernising Water Management and Irrigation Systems for a Resilient Albania”. Aktiviteti, i zhvilluar në Durrës, mblodhi përfaqësues të institucioneve qeveritare, universiteteve, organizatave ndërkombëtare dhe ekspertë nga Shqipëria dhe Europa, me synimin për të diskutuar sfidat dhe prioritetet e menaxhimit të qëndrueshëm të burimeve ujore, modernizimin e sistemeve të ujitjes dhe përafrimin me standardet e Bashkimit Europian.
Konferenca u përshëndet nga Rektori i Universitetit Bujqësor të Tiranës, Prof. Dr. Fatbardh Sallaku, Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj, Ambasadori i Spanjës në Shqipëri, Sh.T.Z. Gabriel Cremades Ventura, dhe Drejtori i CIHEAM Zaragoza, Prof. Dr. Raúl Compés López.
Konferenca u zhvillua në katër sesione tematike, të cilat trajtuan sigurinë ujore dhe qëndrueshmërinë ndaj ndryshimeve klimatike, modernizimin e infrastrukturës së ujitjes, menaxhimin e integruar të burimeve ujore dhe prioritetet strategjike të Shqipërisë në kuadër të procesit të integrimit europian.
Siguria ujore dhe përshtatja ndaj ndryshimeve klimatike
Sesioni i parë, i moderuar nga Prof. Dr. Erinda Lika, Zëvendësrektore për Kërkimin Shkencor dhe Projektet në UBT, u përqendrua në sfidat e sigurisë ujore dhe qëndrueshmërisë klimatike. Ekspertë nga Karlsruhe Institute of Technology (KIT), Universiteti për Biznes dhe Teknologji, Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore (AMBU) dhe projekti EU4Rivers trajtuan problematikat e infrastrukturës së depozitimit të ujit, menaxhimin e integruar të burimeve ujore dhe nevojën për harmonizimin e politikave kombëtare me direktivat europiane.
Në fokus ishte rëndësia e kalimit nga një qasje e bazuar vetëm në disponueshmërinë e burimeve ujore drejt një menaxhimi më efikas, të planifikuar dhe të qëndrueshëm të tyre.
Modernizimi dhe digjitalizimi i sistemeve të ujitjes
Sesioni i dytë, i moderuar nga Prof. Dr. Seit Shallari, Dekan i Fakultetit të Bujqësisë dhe Mjedisit në UBT, iu kushtua modernizimit të sistemeve të ujitjes dhe kullimit, rehabilitimit të infrastrukturës dhe përdorimit të teknologjive digjitale në bujqësi.
Ekspertë nga Shqipëria, Spanja dhe Gjermania prezantuan përvoja dhe praktika mbi automatizimin e sistemeve të ujitjes, menaxhimin e rrezikut nga përmbytjet dhe përshtatjen e infrastrukturës ujore ndaj ndryshimeve klimatike.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua modelit spanjoll të modernizimit të ujitjes, përmes prezantimeve të ekspertëve nga Ministria spanjolle e Bujqësisë, Peshkimit dhe Ushqimit, CSIC dhe CIHEAM Zaragoza, duke evidentuar mundësitë e transferimit të njohurive dhe teknologjive në sektorin bujqësor shqiptar.
Cilësia e ujit dhe kërkimi shkencor
Sesioni i tretë, i moderuar nga Prof. Dr. Endrit Kullaj i Universitetit Bujqësor të Tiranës, trajtoi menaxhimin e integruar të burimeve ujore, mbrojtjen e cilësisë së ujit dhe zhvillimin e kapaciteteve institucionale për monitorimin e tij.
Në këtë sesion, Prof. Dr. Erinda Lika prezantoi qasjen One Health në menaxhimin e cilësisë së ujit, duke u fokusuar në ndotjen mikrobike, monitorimin e rezistencës antimikrobike dhe rëndësinë e përdorimit të të dhënave shkencore në hartimin e politikave publike.
Ndërkohë, Fatos Huqi, nga UBT, prezantoi aplikimin e modelit MORE në pellgun e lumit Ishëm, si një rast studimor për mbështetjen e zbatimit të Direktivës Kuadër të Ujit të Bashkimit Europian.
Prezantimet e ekspertëve nga KIT dhe AMBU u përqendruan gjithashtu në praktikat europiane të monitorimit, modelimit dhe administrimit të cilësisë së ujit.
Prioritetet dhe investimet në sektorin e ujit deri në vitin 2030
Konferenca u përmbyll me panelin e nivelit të lartë “Albania Water 2030: Priorities, Investments and the Path towards EU Water Standards”, të moderuar nga Drejtori i CIHEAM Zaragoza, Prof. Dr. Raúl Compés López.
Në panel morën pjesë Fatmir Guri, Zëvendësministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural; Elda Xhumari, Zëvendësministre e Mjedisit; Edona Bilali, Zëvendësministre e Infrastrukturës dhe Energjisë; Stephan Fuchs, nga Karlsruhe Institute of Technology; dhe Lorena Pellumbi, përfaqësuese e FAO në Shqipëri.
Diskutimet u përqendruan në prioritetet e investimeve për modernizimin e infrastrukturës ujore, përmirësimin e sistemeve të ujitjes, mbrojtjen e cilësisë së ujit dhe përmbushjen e standardeve europiane për ujin e pijshëm dhe trajtimin e ujërave të ndotura.
Konferenca “Albania Water 2030” krijoi një hapësirë të rëndësishme dialogu mes akademisë, institucioneve publike dhe partnerëve ndërkombëtarë, duke nxjerrë në pah rolin e kërkimit shkencor, inovacionit dhe bashkëpunimit ndërinstitucional në adresimin e sfidave të sektorit të ujit.
Për Universitetin Bujqësor të Tiranës, organizimi i kësaj konference përfaqëson një tjetër kontribut në forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe në lidhjen e ekspertizës akademike me prioritetet e zhvillimit të qëndrueshëm të bujqësisë, mjedisit dhe ekonomisë shqiptare.


















