Transformimi akademik i Universitetit Bujqësor të Tiranës po tërheq vëmendje edhe përtej kufijve të Shqipërisë. Media italiane Corriere Italico i ka kushtuar një artikull procesit të reformimit të UBT-së, duke vlerësuar përpjekjet për ndërtimin e një universiteti më bashkëkohor, më europian dhe më të orientuar drejt profesioneve të së ardhmes.
Artikulli është sjellë në vëmendjen e Universitetit përmes një letre nga Tommaso Garofalo, Këshilltar i Kryetarit të Bashkisë së Barit për marrëdhëniet me komunitetet arbëreshe dhe Shqipërinë. Publikimi e vendos transformimin e UBT-së në një kontekst më të gjerë europian, duke evidentuar rëndësinë e modernizimit të arsimit të lartë dhe forcimit të bashkëpunimeve ndërkombëtare.
Në qendër të këtij transformimi qëndron reforma akademike e ndërmarrë në bashkëpunim me BOKU University në Vjenë, e cila synon riorganizimin e programeve të studimit, përafrimin me standardet europiane dhe krijimin e mundësive të reja për studentët.
Rritje e ndjeshme e regjistrimeve në Bachelor dhe Master
Krahas vëmendjes ndërkombëtare, reforma po shoqërohet edhe me tregues pozitivë të interesit të studentëve për Universitetin Bujqësor të Tiranës.
Gjatë këtij viti akademik, disa programe Bachelor kanë regjistruar rritje prej mbi 20–30% krahasuar me vitin e kaluar, ndërsa programet Master kanë arritur nivele regjistrimesh që nuk janë shënuar prej vitesh.
Në një mesazh drejtuar komunitetit universitar, Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Fatbardh Sallaku, e cilësoi këtë zhvillim si një dëshmi të besimit në rritje të studentëve dhe familjeve shqiptare ndaj universitetit.
“Këto nuk janë thjesht shifra. Pas çdo regjistrimi është një student që ka zgjedhur UBT. Është një familje që na ka besuar. Është një i ri që ka vendosur ta lidhë një pjesë të rëndësishme të së ardhmes së tij me universitetin tonë”, u shpreh Rektori Sallaku.
Sipas tij, vlerësimi ndërkombëtar dhe rritja e interesit të studentëve janë njëkohësisht arsye për krenari dhe përgjegjësi për të vijuar më tej procesin e transformimit.
Rektori theksoi se reforma nuk kufizohet vetëm në ndryshimin e strukturave dhe programeve akademike, por përfaqëson një vizion afatgjatë për një universitet më konkurrues, më të hapur ndaj bashkëpunimeve ndërkombëtare dhe më të lidhur me nevojat e tregut të punës.
Ai vlerësoi gjithashtu kontributin e pedagogëve, stafit akademik dhe administrativ, si dhe besimin e studentëve, duke nënvizuar se rezultatet e arritura janë fryt i angazhimit të të gjithë komunitetit universitar.
“UBT ka një histori për të cilën duhet të jemi krenarë. Por ajo që po ndërtojmë sot duhet të jetë arsyeja që brezat e ardhshëm të jenë edhe më krenarë për ne”, përfundoi Rektori Sallaku.
Në vitin e 75-vjetorit të themelimit, Universiteti Bujqësor i Tiranës vijon kështu një etapë të rëndësishme transformimi, ku modernizimi akademik, ndërkombëtarizimi dhe besimi i studentëve përbëjnë shtyllat kryesore të vizionit të tij për të ardhmen.
Lexoni artikullin e plotë në median italiane Corriere Italico:
https://www.corriereitalico.it/universita-agraria-di-tirana/