Kanë nisur në Universitetin Bujqësor të Tiranës regjistrimet për maturantët që kanë zgjedhur dhe fituar të drejtën për të studiuar në UBT në programet e ndryshme të studimit.
Kjo e mërkurë shënoi një ditë të rëndësishme për studentët e ardhshëm, të cilët hodhën zyrtarisht hapin e parë drejt një etape të re të formimit të tyre akademik dhe profesional. Vetëm, të shoqëruar nga prindërit apo së bashku me shokë e shoqe, maturantët iu drejtuan ambienteve të UBT-së për të dorëzuar dokumentacionin e nevojshëm dhe për të përfunduar procedurat e regjistrimit.
Që në ditën e parë, regjistrime pati në programe studimi të të pesë fakulteteve të UBT-së: Fakultetin e Bujqësisë dhe Mjedisit, Fakultetin e Ekonomisë dhe Agrobiznesit, Fakultetin e Bioteknologjisë dhe Ushqimit, Fakultetin e Shkencave Pyjore dhe Fakultetin e Mjekësisë Veterinare. Interesi në fusha të ndryshme studimi reflekton edhe gamën e gjerë të mundësive akademike dhe profesionale që UBT u ofron studentëve të rinj.
Për ta, ky proces shënon fillimin e një rrugëtimi të ri që do të nisë këtë vjeshtë në një Universitet Bujqësor të Tiranës tërësisht të reformuar, me një ofertë të re akademike, programe studimi të përshtatura me zhvillimet bashkëkohore dhe një orientim më të fortë drejt praktikës dhe kërkesave të tregut të punës.
Studentët e rinj do të kenë mundësinë të studiojnë në fusha që lidhen me bujqësinë dhe sigurinë ushqimore, teknologjinë dhe digjitalizimin, ekonominë dhe biznesin, mjedisin, ushqimin, pyjet, arkitekturën e peizazhit dhe mjekësinë veterinare, duke u bërë pjesë e një komuniteti universitar që po hyn në një etapë të re zhvillimi.
Ditët e regjistrimit janë njëkohësisht edhe kontakti i parë i studentëve të rinj me universitetin ku do të kalojnë vitet e ardhshme, do të fitojnë njohuri dhe përvojë dhe do të ndërtojnë bazat e profesionit të tyre të ardhshëm.
Procesi i regjistrimeve në UBT nisi sot, më 26 gusht, dhe do të vijojë deri më 8 shtator.







