Në një ceremoni zyrtare mirëseardhjeje, në sallën “Behar Male” të mbushur plot me studentë, mes emocioneve të ditës së parë, takimeve të reja dhe pritshmërive për rrugëtimin që sapo nis, Universiteti Bujqësor i Tiranës çeli sot zyrtarisht vitin e ri akademik 2026–2027.
Për shumë prej të rinjve ishte dita e parë si studentë të UBT-së, një ditë që shënon jo vetëm fillimin e studimeve universitare, por edhe një etapë të re personale dhe profesionale.
Ceremonia nisi me Himnin Kombëtar dhe vijoi me prezantimin e transformimit të UBT-së në kuadër të bashkëpunimit me BOKU University në Vjenë, një reformë që këtë vit i gjen studentët me programe të reja dhe të ristrukturuara, të orientuara drejt standardeve europiane.
Një mesazh i veçantë për studentët erdhi nga Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Fatbardh Sallaku, i cili i ftoi të rinjtë ta shohin universitetin jo vetëm si vendin ku do të marrin një diplomë, por si hapësirën ku do të ndërtojnë veten dhe të ardhmen e tyre.
“Besoni. Përpiquni. Krijoni. Besoni te vetja. Përpiquni edhe kur rruga bëhet e vështirë. Dhe krijoni diçka që është më e madhe se vetja juaj”, ishte mesazhi i Rektorit Sallaku për studentët në nisje të këtij rrugëtimi.
Ceremoninë e përshëndeti edhe Fatmir Guri, Zëvendësministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, i cili u ndal te mundësitë që ofrojnë sot sektorët e bujqësisë dhe zhvillimit rural për të rinjtë, duke i inkurajuar studentët që dijet e marra në universitet t’i kthejnë në profesion, iniciativa dhe kontribut konkret për zhvillimin e vendit.
Një nga momentet më të veçanta ishte fjala e Isel Telhës, student i vitit të parë, i cili solli në sallë emocionin dhe pritshmëritë e një të riu që sapo nis rrugëtimin universitar.
Një mesazh i veçantë erdhi edhe nga dy alumni të UBT-së, Joana Bano, Kryetare e Shoqatës së Agroturizmit, dhe Sandër Xhambazi, sipërmarrës i Veza Savio. Përmes historive të tyre, ata u treguan studentëve se rrugëtimi që nis në auditorët e UBT-së mund të shndërrohet më pas në mundësi konkrete profesionale dhe sipërmarrëse.
Sandër Xhambazi tregoi se formimi i marrë në UBT ishte pikënisja e rrugëtimit të tij drejt sipërmarrjes, që sot përfaqësohet nga Veza Savio, duke i inkurajuar studentët të besojnë te dijet dhe idetë e tyre dhe t’i kthejnë ato në iniciativa konkrete. Ndërsa Joana Bano solli eksperiencën e saj me Shoqatën e Agroturizmit, duke e paraqitur agroturizmin si një fushë me mundësi të shumta për të rinjtë dhe si një hapësirë ku dija e marrë në universitet mund të lidhet drejtpërdrejt me zhvillimin rural, sipërmarrjen dhe tregun e punës.
Natyrisht, protagonistët e kësaj dite ishin vetë studentët. Me rikthimin e tyre, kampusi mori sërish energjinë dhe gjallërinë që e karakterizon, ndërsa për studentët e rinj sot u hodh vetëm hapi i parë i një rruge që do të ndërtohet çdo ditë në auditorë, laboratorë dhe në jetën universitare.
Në një vit të veçantë, kur UBT shënon 75 vite histori, një brez i ri studentësh nis të shkruajë kapitullin e tij.
Mirë se vini në vitin akademik 2026–2027!
Mirë se vini në UBT – aty ku fillon e ardhmja.










