Skip to Content

Fjalimi i Rektorit të UBT Prof.Dr. Fatbardh Sallaku në hapjen e vitit të ri akademik

5 tetor 2026 by
Fjalimi i Rektorit të UBT Prof.Dr. Fatbardh Sallaku në hapjen e vitit të ri akademik
Web Publikime


Të dashur studentë,

Secili prej jush ka ardhur këtu pas një zgjedhjeje. Ndoshta e keni bërë me bindje të plotë. Ndoshta pas shumë diskutimesh me prindërit.

Ndoshta me shumë ëndrra. Ndoshta edhe me disa dyshime. Të gjitha janë normale.

Por sot dua tju them diçka që do të doja ta mbanit mend gjatë viteve që do të kaloni këtu: Ju nuk keni zgjedhur thjesht një universitet. Keni zgjedhur një profesion, një rrugë dhe një mënyrë për ti shërbyer shoqërisë.

Dhe kjo zgjedhje ka më shumë vlerë nga sa mund të duket sot. Sepse bujqësia moderne nuk është më vetëm toka dhe prodhimi.

Është shkencë. Është teknologji. Është biologji dhe bioteknologji. Është ushqim dhe siguri ushqimore. Është ekonomi, inovacion dhe inteligjencë artificiale. Është shëndeti i kafshëve, shëndeti i njeriut dhe shëndeti i planetit. Është e ardhmja.

Dhe pikërisht për këtë arsye, profesionet që lidhen me jetën, ushqimin, mjedisin, kafshët, tokën dhe burimet natyrore nuk janë profesione të së kaluarës. Janë profesione të shekullit 21.

Këtë vit akademik, Universiteti Bujqësor i Tiranës ka hyrë në një nga ndryshimet më të rëndësishme të historisë së tij. Për herë të parë, ne ju hapim dyert me një ofertë akademike tërësisht të rikonceptuar, të ndërtuar për tiu përgjigjur një bote që ka ndryshuar dhe që do të ndryshojë edhe më shpejt. Kjo reformë është zhvilluar me një partner universitar të një prej universiteteve më të njohura evropiane në fushën e life sciences, BOKU Vienna.

Ne, si universitet, kemi një përgjegjësi ndaj jush. Tju japim dije të mirë. Tju hapim dyert e botës. Tju krijojmë mundësi për kërkim, inovacion dhe bashkëpunim ndërkombëtar. Tju përgatisim për një treg pune që ndryshon çdo ditë. Por kemi edhe një përgjegjësi tjetër, ndoshta më të rëndësishmen: tju ndihmojmë të bëheni jo vetëm profesionistë të mirë, por njerëz të mirë.

Të dashur studentë, Një ditë, shumë vite nga sot, mund të ktheheni në këtë kampus. Ndoshta si profesionistë. Ndoshta si studiues. Ndoshta si sipërmarrës. Ndoshta si pedagogë. Ndoshta nga një vend shumë larg Shqipërisë. Dhe dua të besoj se, kur të ktheheni, do të shikoni pas dhe do të thoni: “Këtu filloi rrugëtimi im.” Prandaj, sot, në ditën tuaj të parë, dua tju lë me vetëm tri fjalë: Besoni. Përpiquni. Krijoni.

Besoni te vetja. Përpiquni edhe kur rruga bëhet e vështirë. Dhe krijoni diçka që është më e madhe se vetja juaj.

Suksese në rrugëtimin tuaj.

Mirë se erdhët në shtëpinë tuaj të re