Biblioteka e Universitetit Bujqësor të Tiranës
Biblioteka e Universitetit Bujqësor të Tiranës ka një histori të përbashkët me atë të Universitetit Bujqësor. Është krijuar në vitin 1951 përkrah auditorëve dhe
kabineteve të Institutit të Lartë Bujqësor të Tiranës.
Roli i saj u rrit edhe më shumë pas vitit 1973 kur ajo mori atributet e Bibliotekës Shkencore
Në vitin 1975 biblioteka vendoset në ambientet e Pallatit të ri të Kulturës dhe merr fizionominë e plotë të një institucioni me standarde unike.
Realizonte marrëdhënie shkëmbimi dhe huazimi me 132 institucione shkencore dhe 32 biblioteka të huaja.
Ndër vite kjo bibliotekë u bë ndër bibliotekat më në zë për pasurimin e fondeve, duke u vlerësuar ndër bibliotekat më të rëndësishme në Ballkan për llojin e vet. Nga 136 volume në vitin 1951 arriti në mbi 250 mijë volume në vitin 1997.
1951 136 volume
1955 27.890 volume
1959 41.260 volume
1975 72.820 volume
1976 80.000 volume
1986 115.000 volume
1997 250.000 volume
Në marsin e vitit 1997 turma të papërgjegjshme, i vunë flakën dhe dogjën tërësisht fondin e bibliotekës duke kthyer në shkrumb e hi vlera të pallogaritëshme të nje pune 40-vjeçare.
Vitet pas ’97-ës i kanë fshirë gjurmët e dhimbshme të djegieve e shkatërrimeve. Biblioteka e Universitetit Bujqësor iu kthye normalitetit, organizimi dhe funksionimi i saj është ndërtuar në përputhje me objektivat arsimore e studimore.
Në vitin 1999 bëhet rikonstruksioni me financimin e Qeverisë Shqiptare, të fondacioneve, shoqatave, personave privatë, bibliotekave brenda e jashtë vendit etj. U bë e mundur që Biblioteka e Universitetit Bujqësor t’i kthehet normalitetit.
Organizimi dhe funksionimi i saj është ndërtuar në përputhje me objektivat arsimore e studimore të Universitetit.
Më 24. 04. 2015, Biblioteka Shkencore merr emrin e akademikut të shquar, Prof. Dr. Mentor Përmeti
Biblioteka ka aktualisht një fond prej 20.000 libra dhe rreth 10.000 volume periodike. Organizon shërbim ndërbibliotekar me vende të ndryshme të botës.
Ofron shërbim për komunitetin e studentëve të UBT, për stafin akademik dhe administrativ, si dhe për kërkuesit shkencor në fushën e bujqësisë.
Gjithashtu, organizon ekspozita të ndryshme, aktivitete me studentët, përkujton studjuesit dhe akademikët e fushës së bujqësisë, etj.