Designed and built with care, filled with creative elements

Top
Image Alt

Ambasadori slloven në Shqipëri Peter Japelj viziton UBT-në

Ambasadori slloven në Shqipëri Peter Japelj i shoqëruar nga zëvendësambasadorja sllovene Milena Radenković, vizituan disa nga ambientet e Universitetit Bujqësor të Tiranës dhe zhvilluan një takim miqësor me stafin drejtues të këtij universiteti. Në kuadër të bashkëpunimeve të frytshme realizuar në të kaluarën por edhe me dëshirën për të vijuar me të tilla bashkëpunime edhe në të ardhmen, Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Fatbardh Sallaku së bashku me zv/rektorët dhe disa prej dekanëve të universitetit diskutuan me përfaqësuesit e ambasadës sllovene mbi fushat e mundshme të bashkëpunimit apo zhvillimit të aktiviteteve të ndryshme me interes të përbashkët, duke specifikuar disa nga sektorët më të rëndësishëm të bujqësisë, siç janë ai i veterinarisë, sektorit të pyjeve, agrobiznesit, sigurisë ushqimore e bioteknologjisë e të tjera. Prof. Sallaku në fjalën e mirëseardhjes, ndërsa theksoi edhe marrëdhëniet e mira me partnerët sllovenë në një sërë fushash, u prezantoi të pranishmëve kapacitetet e UBT-së, ecurinë e deritanishme të tij, mundësitë dhe shërbimet që ky universitet ofron si institucioni më i madh i këtij lloji në vend dhe unik në programet e degët e studimit, ambiciet akademike për të ardhmen por gjithashtu foli edhe për sfidat me të cilat përballet jo vetëm UBT si institucion por edhe vetë sistemi arsimor në Shqipëri. Një pikë mjaft e rëndësishme për UBT, sipas Rektorit Sallaku janë marrëdhëniet me të palët e treta.
Ndërkaq duke shprehur falenderimet për pritjen e ngrohtë në ambientet e UBT-së, ambasadori slloven shfaqi interesin e madh për të dëgjuar dhe marrë në konsideratë idetë dhe propozimet konkrete nga përfaqësues të Universitetit Bujqësor të Tiranës jo vetëm ato të paraqitura gjatë këtij takimi, por edhe në ato që do të pasojnë mes palëve.
Asistencë konkrete për fakultetet e UBT-së, veçanërisht atë të pyjeve dhe jo vetëm, zhvillime të projekteve të përbashkëta, shkëmbim eksperiencash apo programe të ndryshme studimore për studentë e pedagogë të rinj, trajnime apo studime PhD, mbështetje për bursa të ndryshme, projekte të përbashkëta për sigurinë ushqimore dhe jo vetëm e të tjera, ishin disa nga idetë e paraqitura nga stafi akademik i universitetit si kërkesa që mund të mbështeten dhe asistohen nga ambasada sllovene në Shqipëri me qëllim përmirësimin e performancës, cilësisë së mësimdhënies apo rritjes së standarteve në këtë institucion të arsimit të lartë.

 
Kliko këtu për tu kthyer te NEWSLETTER