Designed and built with care, filled with creative elements

Top
Image Alt

Akad. Mentor Përmeti

Mentor Përmeti (1920–2015). Agronom, profesor, akademik. Lindi në Tiranë, ku kreu dhe gjimnazin. Mori pjesë në Luftën ANÇ. Pas çlirimit ndoqi studimet e larta dhe u diplomua në Akademinë e Shkencave Bujqësore “Georgi Dimitrov” në Sofje (1951). U emërua drejtor drejtorisë së bimëve të arave (1951–1962) e më pas zv.ministër (1962–1967) në Ministrinë e Bujqësisë; në v. 1967–1977 qe përgjegjës i katedrës së seleksionimit të bimëve dhe rektor i Institutit të Lartë Bujqësor; kryeagronom në NB në Lushnjë (1977–1982), zv.kryetar i Komitetit të Shkencës dhe Teknikës (1982–1987). Me veprimtarinë e tij kërkimore-shkencore ka dhënë ndihmesë në seleksionimin dhe përmirësimin gjenetik të grurit, duke krijuar kultivarë të rinj me prodhimtari të lartë, që vazhdojnë të kultivohen; ka studiuar vargëzimin gjithëvjetor të ushqimeve të gjelbra për gjedhin. Bashkautor i monografsë “Linjat bazë të përmirësimit gjenetik të misrit” (1987) dhe i teksteve “Seleksionimi i bimëve dhe prodhimi i farërave” (1970), “Gjenetika” (1971), si dhe i një vargu artikujsh shkencorë. Është dekoruar me Urdhrin “Mjeshtër i Madh i Punës”, ka marrë titullin “Punonjës i Shquar i Shkencës dhe i Teknikës” dhe “Çmimin e Republikës” të shkallës së dytë.